Një gjerman për stolin e Turqisë, prezantohet trajneri i ri Stefan Kuntz
Turqia përgatitet të nisë një erë të re në kombëtare teksa ka zgjedhur Stefan Kuntz si trajnerin e përfaqësueses.
Pas rezultateve të dobëta në eliminatoret e Botërit, ku bie në sy ajo humbje e thellë me Holandën, Federata shkarkoi Senol Gunes dhe sot ka prezantuar para tifozëve trajnerin e ri, Kuntz.
58-vjeçari kishte drejtimin e Gjermanisë U21 në Olimpiadën e Tokyos dhe sot nisi një aventurë të re që e lidh për 3 vitet e ardhshme me kombëtaren turke.
“Unë jam i lumtur dhe krenar për këtë aventurë të re por tani fillon puna. Ne duhet të përgatitemi për ndeshjen kundër Norvegjisë me të gjitha forcat tona. A do të mësoj gjuhën turke?Sigurisht, që do të përpiqem dhe jam i sigurt që Hamit Altintop do të më ndihmojë ta përvetësoj më shpejt. Duhet të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e Tetorit dhe të rikthehemi te fitorja”, u shpreh në prezantimin e tij trajneri gjerman.
Kujtojmë që Turqia ndodhet në vendin e tretë pas 6 ndeshjes në Grupin G, 2 pikë larg kreut që mbahet nga Holanda, shkruan Ora News.
