Kur Shqipëria apelonte për ndihmë Fuqitë e Mëdha
A jeni kuriozë të dini sesi na kanë parë ne shqiptarëve të huajt në karikaturë, dhe si e kemi parë ne veten përballë tyre deri në Luftën e Dytë Botërore.
Botuesi, shkrimtari dhe studiuesi, Arian Leka, për emisionin "Shkurt e Shqip" në Rtv Ora identifikon dy faza të rëndësishme.
Leka: Arti grafik në Shqipëri në vitet 30-të kur fillon dhe shprehja e Branko Merxhanit si veteqortues i madh në gazetat dhe revistat ku shkroi bëhet mënyra sesi shqiptarët të fillojnë të mendojnë në mënyrë kritike mbi veten, jo duke krehur vetëveten me idealizim dhe duke ua lënë qortimin vetëm të tjerëve. Por edhe te vështrimi sesi i huaji na sheh, deri në Luftën e Dytë të Botërore mund të identifikojmë dy faza të rëndësishme të këndvështrimit dhe krijimit të ikonës.
Njëra fazë i bashkohet periudhës ku Shqipëria nuk është ende shtet i pavarur, është ende subjekt i traktateve, konferencave apo kongreseve ndërkombëtare duke pasur parasysh Berlinin apo Londrën, ku shqiptari midis morisë së paraqitjeve ofron një model bicefal ndonjëherë që i shtohet një element i tretë. Herë e shohim gjendjen e tij të pambrojtur fëminore në portretin e një foshnje që pret ndihmë, herë të një kafshe të butë. Të gjitha këto veç të tjerave japin dhe një thirrje për ndihmë. Është një femër me tiparet e një zonje.

