Historia do të rishkruhet, Xhufi: Jo vetëm ajo politike, por edhe sociale dhe ekonomike
Historia e shqiptarëve është një nga projektet e mëdha të Akademisë së Shkencave, e cila do të rishkruhet duke u fokusuar edhe në çështje sociale dhe ekonomike. Historiani, Pëllumb Xhufi, thotë se është i nevojshëm rishikimi i historisë pas zbulimeve të reja në çdo periudhë kohore.
Dikur quhej Historia e Shqipërisë, ndësa sot është e shqiptarëve. Rishkrimi i historisë do të shtrihet në çdo vend ku ka pasur shqiptarë.
Këtë herë, historia do të jetë e mbështetur në dokumente arkivore dhe bibliografi.
"Do të ketë një ndjekje të shqiptarëve kudo ku janë dhe në territoret jashtë Shqipërisë politike të sotme do të ndiqen dhe në periudhën pas 1913, fatet e tyre, problemet e tyre,. Hallet e tyre, luftërat e tyre."
Për historianin, Pëllumb Xhufi, ky ndryshim është i nevojshëm për shkak të zbulimeve të reja.
Xhufi madje thotë se mund të ketë edhe përmbysje të historisë në disa periudha.
"Janë kryer shumë ekspedita arkivore që kanë sjellë material të ri për të gjitha epokat të cilat duhet të reflektohen. Sjellin fakte të reja dhe ndonjë përmbysje të vogël."
Nevoja e bashkëpunimeve me institucione të tjera është i nevojshëm për shkak të arkivave dhe dokumenteve që ata disponojnë.
Profesor, Bernard Zotaj, nga Instituti i Akademisë Ushtarake, tregon rëndësinë e përfshirjes së historisë së ushtrisë shqiptare.
"Kudo jemi munduar të pasqyrojmë të tëra betejat, luftërat, udhëheqësit, drejtuesit e saj me qëllim që të marrë dimensionet e duhura në lidhje me metodat, format dhe parimet e artit ushtarak popullor shqiptar."
Këtë të enjte Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë ushtarake të shqipërisë firmosën një marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të projekteve madhore, që veç historisë së shqiptarëve përfshijnë edhe enciklopedinë shqiptare dhe fjalorin e madh të gjuhës shqipe.