Rikthehet pas shumë vitesh "Dasma shkodrane"
Ashtu si dikur, që dasma nuk i përkiste vetëm familjes së çiftit dhe miqve të tyre, por ishte festa e të gjithë lagjes, u rikthye pas shumë vitesh "Dasma shkodrane".
Një trashëgimi e të parëve tanë që synon t'u përcillet edhe brezave të rinj, ajo traditë e bukur e këngëve të kënduara live nga një orkestër, e ku programi i dasmës është i punuar në detaje.
Me iniciativën e qendrës rinore "Arka" dhe të profesor Lorenc Radovanit, për 3 orë me radhë publiku shijoi një natë ndryshe, në një prej oborreve të shtëpive të vjetra shkodrane.
"Janë të reja, janë të panjohura, por sigurisht kanë pasur vëmendje, dëshirë, pasion dhe mesazhi është shumë i fortë, është i vendit dhe vlerave për të cilët ne shkodranët mburremi kaq shumë."
Gjithçka ju besua brezit të ri, ata që duhet të kujdesen për ta mbajtur gjallë shpirtin artistik.
"Është pas e vështirë sa të adoptohesh me grupin dhe pjesën e këngëve popullore, por mendoj që ja dolëm."
"Ka pasur këngë që nuk i kam ditur dhe mendoj se ka qenë si mësim edhe si shkollë e vogël."
Emocionet më të forta në këtë natë ishin për brezin e vjetër të artistëve, që ridëgjuan këto perla të këngës qytetare.
"Për mua është kënaqësi e veçantë të shoh që Shkodra nuk vdes. Në Shkodër këndojnë të gjithë."
"Një mrekulli e muzikës shqiptare, një mrekulli e muzikës shkodrane."/OraNews/
