Ja disa nga karikaturat e famshme që ka botuar Faik Konica për shqiptarët me dorën e një amerikani

Karikatura shqiptare u krijua bashkë më shtypin në kolonitë shqiptare në botë që nxorën gazetat e para, kryesisht në emigracion.

Faik Konica ishte i pari që i quan kartune dhe janë plot 95 të tilla në gazetën “Dielli”.

Publicisti, Agim Janina, për emisionin "Shkurt e Shqip" në Rtv Ora thotë se karikaturisti amerikan Frank E Davidson i pajtuar nga Konica ka përshkruar me saktësi të habitshme përmes karikaturës karaktere, ngjarje dhe fenomene të kohës në Shqipëri.

Janina: Shtypi shqiptar fillesat e tij i ka jashtë vendit, kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Greqi deri në Amerikë ku kemi 95 karikaturat që ka botuar Faik Konica të bëra nga Frank E. Davidson. Ajo që të çudit është sa mirë ky karikaturist ka njohur psikologjinë  shqiptare, botën shqiptare dhe njeriun shqiptar. Është meritë e jashtëzakonshme e Faik Konicës dhe unë besoj se Faik Konica i ka përshkruar vetitë e shqiptarëve, i ka dhënë dhe tema si duhet të trajtohen, i ka dhënë dhe botën shqiptare, frymën shqiptare, ç'është njeriu shqiptar dhe ai me një saktësi të habitshme ka përshkruar karaktere, ngjarje, fenomene të kohës me anë të karikaturës. Shtypi europian pati interes shumë të madh dhe janë trajtuar dhe temat. Kemi karikatura për Princ Vidin kur erdhi në pushtet.