Dosja e vrasjeve në Elbasan,GJKKO zgjat me tre muaj paraburgimin për Erjon Alibej

Pas mbërritjes së dosjes nga prokuroria e Elbasanit për dy vrasjet e ndodhura në këtë qytet në korrik të vitit 2020 të Emiljano Ramazanit dhe Rigels Runajt, GJKKO u ka zgjatur tre të arrestuarve për këto ngjarje Erjon Alibej, Xhuliano Hoxhës dhe Euglen Halilit edhe tre muaj afatet e paraburgimit pas kërkesës së SPAK. 

Gjykata e Posaçme ka zgjatur edhe me tre muaj afatet e paraburgimit për Erjon Alibej dhe dy të arrestuarit e tjerë Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, të akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Emiljano Ramazanit në 20 korrik 2020 si dhe vrasjen me paramendim të Rigels Runajt në 29 korrik të vitit 2020, ngjarje këto të ndodhura në Ebasan.

Fillimisht kjo dosje u hetua në prokurinë e Elbasanit, e cila ia përcolli për kompetencë Prokurorisë së Posaçme me argumentin që të dyshuarit kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Por prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë vërejtur se dosja ka mangësi në hetim pasi ende nuk është identifikuar autori i vrasjes se Emiljano Ramazanit, por vetëm dy bashkëpunëtorët që kanë patur rolin e ndihmësit.

Sipas akuzës dyshohet se porositësi i vrasjeve është Erjon Alibej, ose Dylgjeri i arrestuar në 8 shtator të vitit të shkuar.

Pistat kryesore për të dy ngjarjet është hakmarrja për ngjarjen e Bradasheshit në dhjetor të 2018 ku u ekzekutua në një atentat mafioz i vëllai Erjonit, Endrit Alibej i njohur me nofkën “Tarzani”.

Atë natë, mbeti i vrarë edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durnay.

Euglen Halili ka rrëfyer para hetuesve se ai e ka kryer vrasjen e Rigels Runaj, për llogari të Xhuljano Hoxhës.

Për këtë krim ai do të merrte një shumë gati 100 mijë euro. Runaj ishte miku i Emiljano Ramazanit, 39-vjeçarit që u ekzekutua me armë në momentin që po hipte në automjetin e tij, pasi kishte dalë nga palestra.

Alibej rezulton të jetë i përfshirë në trafikun e kokainës në Itali. Ai është arrestuar bashkë me vëllain e tij të ndjerë në vitin 2013 në Itali, në kuadër të një operacioni antidrogë.