Merret vendimi, grupi i Erjon Alibej çohet në SPAK për tu gjykuar
Prokuroria e Elbasanit ka marrë vendimin për transferimin në SPAK të dosjes penale të vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runaj.
Vendimi për shpalljen e moskopetencës është paralajmëruar 10 ditë më parë nga Ora News, ndërsa tashmë SPAK ka marrë në administrim fashikujt hetimore, në mënyrë që të vijojë gjykimin e të pandehurve në Gjykatën e Posaçme në Tiranë.
Pas më shumë se një viti, prokurori Kreshnik Ajazi ka vendosur të kalojë në SPAK dosjen penale që flet për dy vrasje të kryera me pagesë.
Ora News mëson se data 18 shtator 2021 është afati i fundit i veprimeve hetimore lidhur me dosjen penale, që bën fjalë për vrasjen me pagesë të Emiljano Ramazanit ose “Ilit të Elbasanit” dhe mikut të tij Regis Runaj.
Të dy personat që në Elbasan konsideroheshin si shpërndarës të lëndëve narkotike dhe të dyshuar si të përfshirë në disa ngjarje kriminale, në muajin korrik 2020, mbetën të vrarë me pistoletë dhe goditje thikash.
Tashmë për këto dy ngjarje kriminale, policia dhe prokuroria e Elbasanit vijon të mbajë në burg Erjon Alibej alias Agim Shurbi dhe dy persona të tjerë Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.
Këta persona akuzohen për “Vrasje me Paramendim kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Pjesëmarje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Vjedhje me dhunë”.
Ndërsa dy javë pas vrasjes së Ramazanit, policia dhe prokuroria e Elbasanit, arrestuan dhe babë e bir, Albert dhe Seit Manahasa nga Peqini, të cilët akuzohen për “Mbajtje pa lejë të armëve dhe municioneve”.
Por për shkak të mungesës së provave, ata u liruan disa muaj më vonë.
Prokurori Ajazi është i mendimit se dy vrasjet janë kryer nga një grup kriminal në shenjë hakmarrje.
Alibej, i cili u ndalua nga policia brenda në ambientet e shtëpisë së tij në Elbasan, deri në këtë fazë të hetimeve konsiderohet si njeriu që ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.
Ndërsa dy njerëzit që kanë marrë pjesë direkt në vrasjen e tyre janë Euglen Halili, Xhuljano Hoxha dhe persona të tjerë që ende nuk është bërë e mundur identifikimi i tyre.
Bashkëpunëtori i drejtësisë, Euglen Halili, në këtë rast ka treguar se ka qenë në rolin e ekzekutorit në vrasjen e Regis Runaj.
Ndërsa për vrasjen e Emiljano Ramazanit, në rolin e “vëzhguesit”.
Halili ka pohuar se është ai personi që e ka vrarë Regis Runajn, edhe pse e kishte shok, dhe se gjithçka e ka bërë për llogarinë e Xhuljano Hoxhës dhe Erjon Alibej.
Edhe për vrasjen e Ramazanit, Halili ka treguar në dëshminë e tij, se ai ka mbajtur në vëzhgim Ramazanin duke informuar personat e tjerë për ta qëlluar.
Halili ka shtuar se ka qenë Xhuljano Hoxha e Alibej, ai që ka paguar me një sasi të konsiderueshme eurosh, para të cilat i kanë dhënë shtysën, që të fillojë të planifikojë vrasjen e mikut të tij, Runajt dhe të ndihmojë për vrasjen e Emiljano Ramazanit.

