Elbasan/ Përfundon regjistrimi i pronave në Balldren, Lame: Mund ta bëni aplikimin online

Regjistrimi fillestar ka përfunduar për mbi 1 mijë e 200 pasuri tokë bujqësore, shtëpi të vjetra apo banesa në proces legalizimi në Elbasan.

Nga zona e Balldresë, Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë në portalin E-albania për t`u pajisur me certifikatë pronësie teksa vitin 2021 e konsideron sfidë për regjistrimin e tokave bujqësore të fituara me ligjin 7501.

“Një pjesë e pronave që janë regjistruar, marrin që sot certifikatën, dhe kjo është një gjetje që kemi bërë, për t’i nxitur banorët për të kuptuar që ta marrin dhe tjerët.”- tha Lame.

Përmes këtij procesi fermerëve u lind e drejta të aplikojnë për subvencione të ndryshme, ndërsa evidentohen dhe shmangen edhe rastet e mbivendosjes.

Në qarkun e Elbasanit brenda këtij viti janë legalizuar 1 mijë e 270 banesa ndërsa janë certifikuar edhe 2 mijë 150 parcela të tokës bujqësore./ Ora News/