Masakra mjedisore në Bulqizë, mali i Tërnovës, tërësisht i prerë dhe i djegur

Pyjet në vendin tonë vijojnë të dëmtohen nga dora e njeriut. Herë për të shfrytëzuar tokën për aktivitete ekonomike, e herë për të përdorur lëndën drusore, dhjetëra hektarë sipërfaqe janë dëmtuar rëndë. Në Bulqizë, në Malin e Tërnovës tanimë nuk mund të gjesh pyje, pasi ato janë prerë ose djegur në masë të madhe.

Këto pamje vijnë nga Mali i Tërnovës në Bulqizë.

Dikur i mbushur me pyje, sot kodrat kanë mbetur nën pushtimin e barishteve dhe trungjeve si dëshmi e masakrës nga dora e njeriut.

Duket qartë që prerjet e pemëve, të ahut apo të pishës janë bërë  pa asnjë kriter, dhe nën hundën e institucioneve që janë treguar të pafuqishme në ndaljen e këtij shpyllëzimi masiv.

Shkatërrimi i pyjeve nuk është bërë vetëm me prerje, por edhe me anë të djegies.

Jashtë kamerave banorët e zonës pranojnë se në këtë vend zjarri është vënë disa herë qëllimisht, për të marrë lëndën drusore.

Pyjet e vendit tonë kanë rënë pre e masakrave të shumta mjedisore pas viteve 90-të, ndërsa në shumë zona të vendit ende digjen masive pyjore me qëllim shfrytëzimin e tokës, ose përdorimin e lëndëve drusore, fakt ky i pranuar edhe nga institucionet.