Nga e mërkura i bllokuar në galeri, nuk dihet fati i minatorit, familjarëve e presin jashtë
Në hyrjen e kësaj galerie duket se gjithçka është e qetë, por nën tunele po luhet fati tragjik i minatorit 60 vjeçar Muharrem Plaku.
I vetmi njoftim se aty po kërkohet për minatorin e bllokuar prej datës 15 është një shirit i verdhë, dhe fytyrat e pikëlluara të familjarëve që e presin jashtë galerisë.
Edhe në ditën e katërt reagimi mbetet i dobët. Institucionet vendosën të reagojnë përmes një deklarate për mediat si një kundërpërgjigje të lajmeve që transmetuan gazetarët.
Në galeri po punojnë disa grupe pune me 3 e 4 shpues dhe terreni është i vështirë e duhet kujdes, ky ishte mesazhi i vetëm, por pa asnjë detaj më shumë.
Përtej këtyre deklaratave duket se gjithçka në hyrje të galerisë është e qetë sikur nën këtë mal të mos ndodhet babai i dy fëmijëve.
Televizioni Ora News udhëtoi drejt minierave për ti dhënë më shumë zë ngjarjes së dhimbshme që përsëritet shpesh mes familjeve që ushqehen me punën që bëjnë për nxjerrjen e kromit.
Nuk është vetëm varfëria në qytetin që duhet të ishte nga më të pasurit, por dhe mungesa e reagimit që vret më shumë familjet që pak nga pak po e braktisin zonën.

