Bënë "lëmsh" policinë me deklarime të rreme, nën hetim dy të rinj

Dy të rinj janë proceduar në gjendje të lirë nga policia e Tiranës për deklarim të rremë.

R. Sh., 31 vjeç dhe M. H., 33 vjeç, akuzohen për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Policia sqaron se në  sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë që shtetasin R. Sh, e kanë grabitur persona të paidentifikuar.

Menjeherë në vendngjarje kanë shkuar sherbimet e Policisë dhe kanë marrë kontakt me këtë shtetas i cili ka deklaruar se nuk është e vertetë që e kanë grabitur, por që e ka harruar telefonin diku tjetër.

Më pas po ky shtetas ka hedhur dyshime që e kanë goditur persona të armatosur, ku pas verifikimeve të Policisë dhe kqyrjes së pamjeve filmike ka rezultuar se ka patur  thjesht një konflikt fizik midis R. Sh dhe M. H., pa përdorimin e armës apo sende të forta.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.