Përmbytjet në Kukës, banori: Aeroporti më përmbyti shtëpinë, nuk ka rrjet kullues

Kjo është shtëpia e Sul Lekicës në Kukës. Për të hyrë brenda saj të shtunën (18 shtator), duhej përdorur varka.

Shirat e rrëmbyeshëm dhe sipas tij mungesa e rrjetit kullues të aeroportit të ri, bënë që pas 15 vitesh shtëpia dhe lokali i tij të përmbyten.

"Është përmbytur lokali . Aeroporti ma ka përmbytur. Nuk kanë hapur tubinat, për këtë arsye jemi përmbytur. 15 vite nuk jemi përmbytur asnjëherë. Ka pasur përmbytje, por jo me kaq shumë dëme materiale. Kemi lajmëruar drejtorin e aeroportit , nën-drejtorin, drejtorin e emergjencave , të gjithë i kemi lajmëruar."

E njëjta situatë e rëndë ishte edhe në rrugën e re që të çon tek aeroporti, ku uji arriti në disa centimetra.

Edhe në disa akse të tjera të qytetit të Kukësit, por edhe në Rrugën e Kombit, shirat shkaktuan probleme.

Dhera dhe gurë ranë në rrugë, duke e penguar qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve.