"Nuk ka kthim pas", Basha i përgjigjet Berishës: Ti njohim meritat por nuk cënojmë aleancën me SHBA

Lulzim Basha, nuk ka asnjë koment për lumin e akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha në drejtim të tij, duke u fokusuar vetëm në vlerësime ndaj figurës së tij. Por Basha i mbetet deklaratave të dy javëve më parë, duke theksuar se nuk kishte rrugë tjetër veç përjashtimit nga grupi parlamentar, duke i vlerësuar marrëdhëniet me shba-të të pacënueshme.

Kryedemokrati, Lulzim Basha, iu përgjigj i prerë aksionit të nisur nga ish-lideri Sali Berisha, i cili ka vënë në pikëpyetje karrigen e tij, duke theksuar se vendimi i tij për ta larguar nga grupi parlamentar nuk do të ketë kthim pas.

Pavarësisht pyetjeve të mediave, Lulzim Basha, nuk shtoi asnjë fjalë më shumë nga sa fjalimi i 2 javëve më parë kur njoftoi largimin e Sali Berishës.

Basha ritheksoi faktin se Partia Demokratike, nuk cënon marrëdhënien me SHBA-në.

Basha: Nuk kam asgjë për ti shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me SHBA. Por dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i PD me SHBA duhet dhe do të mbetet i pacënueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë dhe të së nesërmes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për këtë arsye ne së bashku e të gjithë shqiptarët që mezi po presin ndryshimin do të bëjmë gjithçka për të realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas.

Ai doli para mediave, për të komentuar qeverinë e re, ndërsa tha se 77 votat pro ishin vula e aleancës që erdhi në pushtet me krimin dhe votat e vjedhura.

Basha: Formalizimi i PPP Rama-Doshi-Rakipi bashkë me kriminelët e dosjes 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër dhe dosjes 139 të Shijakut  bashkë me Rrahman Rrajën janë fatkeqësia kombëtare. Qëllimi i kësaj PPP, kësaj pakice plaçkitësish është të pasurojnë veten e tyre, të mbajnë pushtetin në kurriz në familjeve shqiptare. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për ti larguar këtë armiq të demokracisë nga salla e parlamentit dhe për ti  kthyer shqiptarëve demokracinë, parlamentin.

Partia Demokratike, tha Basha, është e vendosur për të bërë gjithçka për largimin e qeverisë Rama e për ti rikthyer vendit demokracinë.