Sali Berisha injoron Lulzim Bashën, i referohet si ish-kryetari i PD, ekzaltohen militantët
Sali Berisha iu rikthye pas 8 vitesh mitingjeve, si organizator, këtë herë jo kundër qeverisë.
Të enjten mbrëma, 16 shtator, në orën 18:00, ish-kryeministri nisi nga Tirana lëvizjen e tij brenda Partisë Demokratike,të pagëzuar si "Foltorja", pasi kryetari Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar.
Paralelisht në një tjetër foltore, në Parlament, Basha mbante fjalën e tij të parë në legjislaturën e re pas zgjedhjeve të humbura.
Tashmë Berisha nuk e njeh atë si kryetar.
Berisha: Nuk fitohet në këtë mënyrë, mund të afrohesh por pa lider. Ndodhi kjo, ishe humbja e dytë e madhe. Personalisht nuk do ta kapërdija.Humbe njëherë duhet të ikësh, po i humbe dy herë, dy herë do të ikësh. I tregoj të gjithë skemën e 2001, ku të gjitha i kisha kundër atë kohë. Me fakte e dokumenta arritëm të vëmë sanksione ndaj qeverisë së Fatos Nanos.
Parlamenti Europian i tha Shqipërisë me rezolutë se parlamenti juaj nuk shpreh vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe nëse ju zgjidhni presidentin me vota socialiste ne nuk do ta njohim presidentin tuaj. Ne si opozitë e fituam një levë. Përveçse treguam se na i grabiti zgjedhjet, vetë ata që vunë sanksionet u interesuan në çdo kohë për zgjedhjet në Shqipëri dhe PD fitoi në 2005 zgjedhjet.
Siç veproi Lulzim Basha për interesa absolutisht të karriges së tij duke shkeluar lumenjtë e djersës të dhjetëra e mijëra militantëve, aktivistëve, komisinerëve që e bënë natën ditë për të fituar zgjedhjet ky vuri përpara karrigen e tij dhe u tha atyre keni fituar, shpërndante grafiqe ku mashtronte se është fituar më shumë se në 2013 kaq mijë vota.
Në të vërtetë krahasuar me 2013, në 2021 PD me aleatët ka marrë 74 mijë vota më pak. Pas kësaj që ishte goditja e dytë më e madhe pas humbjes së zgjedhjeve, shkelmuam dhe injoruam lumenjtë e djersës së zgjedhësve tanë. Nuk ishim të zotët për asgjë. Kryetari ynë në vend që të merrej me këtë punë, ish-kryetari, na u mor me karrigen.Lapsus. Basha u mor me karrigen.
Për mbështetjen që i kishte dhënqë Bashës, u kërkoi ndjesë të pranishmëve në salle, shumica anëtarë të PD-së dhe dhjetëra figura të njohura, deputetë dhe ish-deputetë.
U zotua se do të bëjë gjithçka për ngjalljen e shpresës, pasi e konsideron Bashen si lider të thyer, ndërsa e fajësoi atë për humbjet në zgjedhje dhe opozitën 8-vjeçare. Edhe me 25 prill sipas Berishës, Rama nuk i fitoi zgjedhjet por as PD-ja.
Ish-kryeministri u dha përgjigje mbështetësve të interesuar për mënyren se si do të arrihet largimi i kryetarit aktual të PD.
Një mesazh e kishte edhe për ambasadoren amerikane, e cila pak më herët bëri thirrje se është koha për të zgjedhur mes fantazmave dhe të ardhmes.
Berisha: Dy fjalë për të ardhmen. Viktor Hygo ka shkruar diku se e ardhmja ka emra të ndryshëm. Ai thotë se e ardhmja, për të dobëtit quhet e pamundur. E ardhmja për sentimentalët, quhet e panjohur. E ardhmja për guximtarët quhet idealja. Ndaj dhe ne zotohemi këtu që në përpjekjen tonë, do të çlirojmë Shqipërinë nga fantazma e komunizmit, e bllokmenëve, nga fantazma e mafias, e krimit dhe e korrupsionit që po gërryen çdo ditë këtë vend.
Por edhe nga fantazma e Sorosit, i cili është një armik i qendrës së djathtë dhe i të djathtës shqiptare. I parimeve që ato mbrojnë. Së fundi, ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarëve, por edhe miqtë e mi kudo në botë, edhe ata që flasin për fantazma, se kur të dalë një fakt i vetëm, Sali Berisha është i gatshëm që të marrë një vendim. Përndryshe aq sa jam i përulur para të vërtetës, aq jam i pathyeshëm ndaj shpifjes dhe mashtrimeve.
Pas Tiranës, foltorja për PD-në do të zhvendoset në qytete të tjera të vendit.

