Kurti nuk i mban inat Ramës, e uron për mandatin e tretë dhe e fton që të vizitojë Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse kohët e fundit ka pasur ‘përplasje’ me Edi Ramën, i ka uruar, për mandatin e tretë qeverisës, duke lënë pasi inatet mes njëri-tjetrit.
Në një letër, Kurti shkruan se mandati i Ramës vjen në një kohë plot sfida, ndërkohë ka theksuar ky mandat i tretë është një mundësi për të realizuar projekte të cilat priten nga shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri.
Kurti i drejtohet Ramës duke i thënë se së bashku mund të punojnë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit
Letra e plotë:ë
Shkëlqesia Juaj,
Me rastin e zgjedhjes suaj për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë pranoni ju lutem urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës.
Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë. Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm.
Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër.
Kurti në letrën e tij e fton Ramën që të vizitoj Kosovën, e më pas të fillojnë përgatitjen për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.
“Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre. Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë”.
Kujtojmë se kohët e fundit mes dy lidërve ka pasur ‘përplasje’ përmes deklaratave.
Rama në konferencën e përbashkët me Kancelaren Angela Merkel, tha se Kosova po krijon ‘teori konspirative’ për ‘Ballkanin e Hapur’, ndërkohë vetëm pak më pas, ka ardhur dhe përgjigja e Kurtit, i cili tha se është i mjaftueshëm procesi i “Berlinit”, dhe se nuk e dinte se për kë teori e kishte fjalën kreu i qeverisë së Shqipërisë./ Ora News/

