Yuri Kim shkon në Kuvend, takon Lindita Nikollën

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti Ambasadoren e SHBA, znj. Yuri Kim.

Ambasadorja i uroi Kryetares së Kuvendit suksese në detyrën e lartë të Kryetares.

Bashkëpunimi i suksesshëm i Shteteve të Bashkuara me Kuvendin e Shqipërisë, do të vijojë të zgjerohet e forcohet.

Shtetet e  Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë një partner real e të besueshëm dhe dëshirojmë një Shqipëri demokratike, të fortë dhe europiane.

"Ishte kënaqësi të uroja Lindita Nikollën si kryetare të Kuvendit. Është mirë të shihet se Parlamenti është me forcë të plotë, me opozitën të pranishme dhe duke folur hapur.

Respektimi i diversitetit të pikëpamjeve, debati civil dhe bashkëpunimi aty ku është e mundur janë thelbësore për demokracinë dhe llogaridhënien para votuesve," ka shkruar ambasadorja në Twitter.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, e falenderoi Ambasadoren Yuri Kim për urimet dhe mbështetjen si dhe e siguroi për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë.

“Partneriteti strategjik me SHBA është një gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Ne vlerësojmë shumë ndihmën e SHBA, veçanërisht për avancimin e reformës në drejtësi, të procesit të vetting-ut dhe kryerjen e reformës zgjedhore dhe të reformave të tjera në rrugën e anëtarësimit ne BE.

Ne do të rrisim përkushtimin e përgjegjësinë për të justifikuar besimin që na dhanë qytetarët në mandatin e tretë.

Unë do të kontriboj që të sjell një qasje të re në komunikim dhe veprimtarinë parlamentare, duke pasur si yll të karvanit që më udhëheq ne punën time interesat e vendit dhe jo përkatësinë time politike”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Gazetari Everest Dedaj bëri me dije se takimi zgjati rreth 30 minuta dhe u prezantua ambasadorja me kryetaren e re të Kuvendit.

Ky takim mes Kim dhe Nikollës vjen pas seancës maratonë, e cila nis dje në orën 10:00 dhe përfundoi mëngjesin e sotëm, ku edhe u votua qeveria e re “Rama 3”.