Rriten çmimet e fruta-perimeve në Vlorë, tregjet bosh
Çmimet e fruta-perimeve janë rritur ditët e fundit në pikat e shitjes në Vlorë.
Mes produkteve që po shiten më shtrenjtë janë bamjet, domatet, patatja, spinaqi, bananet, mishi dhe peshku.
Qytetarët thonë se çmimet e produkteve të konsumit janë të papërballueshme.
"Shumë lart, të gjitha."
"Të larta janë, gjithë beharin kështu kanë qenë."
"Ne nuk i përballojmë dot, ne jemi dhe pensionistë."
Të tjerë detyrohen të blejnë cilësinë më të dobët, për shkak të çmimit më të reduktuar.
"70 lekë ishin këto, shumë të shtrenjta janë. Domatja e mirë me 120. Se përballoj dot, ja çfarë kam blerë."
Papunësia sipas qytetarëve është faktori kryesor që po ndikon tek mungesa e të ardhurave dhe tek fuqia blerëse.
Por edhe tregtarët shprehen se po kalojnë një periudhë të vështirë për shkak të mungesës së blerësve.
"Tani ka rënë shumë, shumë dobët. Çdo gjë ka mbaruar në Shqipëri, pjesa dërrmuese ka ikur. Unë s'kam shitur asgjë deri tani."
Muajin e fundit çmimet për mallrat e konsumit kanë shënuar rritje në të gjithë vendin duke nisur nga buka, produktet e qumështit por edhe artikujt e tjerë të shportës.
