"Kurrë Sali Berisha nuk do të mërzitet…", ish-kryeministri mesazh për mbështetësit e Bashës, u tregon vijën e kuqe
I vetëdijshëm për dy fronte të krijuara brenda Partisë Demokratike pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, ish-kryeministri Sali Berisha u kujdes të qartësonte se ky aksion i tij nuk do të përçajë partinë por ta nxjerrë më të bashkuar.
Në takimin me anëtarësinë, ai adresoi një mesazh të qartë për grupin e ri parlamentar të deputetëve, Këshillin Kombëtar dhe organet e tjera drejtuese të PD.
Berisha: Asnjë nuk do të na përçajë ne. Dy fjalë do t'u them miqve të mi në grup parlamentar, Këshill Kombëtar apo kudo që janë. Secili prej jush ka të drejtë të thoni Sali Berisha të përjashtohet, por mos ia lejoni vetes të thoni që ka të drejtë të dhunojë statutin, u detyrua të dhunojë statutin. Ai që e thotë këtë nuk njeh Alfa e Omega të kësaj partie. Njeriu para se të marrë një vendim që nuk mund të merret kurrë jep dorëheqjen, thotë mirupafshim.
Mos e bëni këtë! Kurrë një i huaj, cilido qoftë ai, nuk mund të të thotë ty (demokratëve) shkelmo mbi parimet që ke themeluar, statutin që ke. Nëse kishte një presion kaq të madh i thoje që të duhet 5 ditë kohë të mbledh Këshillin Kombëtar. E dinte që nuk fitonte dhe duhet të jepte dorëheqjen, vetëm dorëheqja nuk ekziston për të. Demokratë e demokrate në mbarë Shqipërinë, kurrë Sali Berisha nuk do zemërohet me ju se ju do shprehni të lirë mendimin tuaj kundër tij por jo kundër statutit, forumit dhe parimeve me të cilën u ndërtua kjo parti.
Ajo nuk mund të ndodhë. Ne jemi parti e mendimit të lirë por parti e sovranitetit, konservatore, e interesit kombëtar. Ditën që jam futur në parlament megjithë përpjekjet demoniake për të më penguar unë jam ndjerë më i fortë se kurrë, më i motivuar se kurrë. A mund t'ja lija vendit tim turpin e sovranitetit, dorëzimit të mandatit të qytetarëve shqiptarë? Kurrë, kurrë!

