Basha merr fjalën në Kuvend: Rama ekzekutoi demokracinë, s’duhet të ishte në foltore por para drejtësisë

Në foltoren e Kuvendit fjalën e ka marrë kryedemokrati Lulzim Basha, pas ardhjes së kryeministrit Edi Rama. 

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se demokracia shqiptare nuk është në krizë, por ajo sipas tij ka vdekur.

Më tej, kreu i opozitës u shpreh se Rama nuk duhet të ishte në foltoren e Kuvendit por para drejtësisë. 

Lulzim Basha: Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira.Demokracia është vrarë. Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje.  Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sespe do të kishte punë me drejtësinë për cfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij. 

Basha ndërsa ka paraqitur raportin e Bankës Botërore thotë se Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan.

Lulzim Basha: Referuar Bankës Botërore, Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Gati gjysma e bashkëqytetarëve tanë jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Sipas Eurostat, shqiptarët kanë pagën minimale më të ulët dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë. 

Korrupsioni është një tjetër thagmë e juaja. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit, ndërsa Transparency International e konsideron korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit. Banka Botërore dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim të rendisin të dytin në botë, pas Zambias për nivelin e ryshfetit, me shifra 3 herë më të larta se ato të 2013-ës. Sigurisht këto ndikojnë te klima e biznesit, për të cilën Shqipëria renditet e fundit në Europë në raportin më të rëndësishëm Doing Business. 

Basha thotë se Rama erdhi ne pushtet duke premtuar se ul borxhin, por që e çoi mbi 80%. 

Lulzim Basha: Je në listën ‘gri’ të Moneyval për pastrimin e parave, e sapo e zbrite edhe 28 vende, sigurisht parave të krimit dhe korrupsionit. Për OKB-në je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë. Sipas UNESCO-s je një nga vendet me financimet më të ulëta për arsimin, vetëm 2.3% e PBB-së, më i ulëti në 20 vjet! Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, gjithmonë sipas Eurostat. E gjete në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Erdhe në pushtet duke bërtitur e duke cituar Luigj Gurakuqin “a ka ma keq se me la borxh me borxh”. Premtove se do ta ulje borxhin dhe e çove mbi 80%, më të lartin në rajon.