"Kështu fiton autoritarizmi", Basha: Raporti i OSBE/ODIHR gur varri mbi zgjedhjet
Kreu i PD Lulzim Basha gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit tha se raporti i OSBE/ODIHR, konfirmon masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Lulzim Basha: Raporti OSBE/ODIHR, konfirmon masakrën zgjedhore. Aty thuhet se ka patur blerje masive të votave dhe presion ndaj votuesve. Se partia në pushtet dhe shteti janë shkrirë në një. Se asetet publike janë keqpërdorur në avantazh të partisë në pushtet, pra abuzim me pushtetin dhe funksionet publike.
Raporti thotë se keni përdorur fonde e rindërtimit për të ndikuar votën. Keni përdorur legalizime në këmbim të votës. Keni vjedhur të dhënat private dhe personale të shqiptarëve duke ngritur sistemin kriminal të patronazhistëve për të ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve. Keni përdorur grupe kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve. Keni ndryshuar Kushtetuën në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Basha u shpreh se Rama përdori në mënyrë të turpshme Komitetin e Ekpertëve, dhe pengoi ardhjen e emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e 25 Prillit.
Lulzim Basha: Ndryshuat për qëllimet tuaja fletën e votimit, cka solli numër rekord votash të pavlefshme. Po ashtu raporti flet edhe për përdorim e turpshëm të komitetit politik të ekspertëve, për të mbyllur kufijtë dhe për t’iu mohuar të drejtën e votës qindra-mijëra shqiptarëve në emigrim. Mjafton një nga rekomandimet prioritare që ti vërë vulën rrëzimit të këtye zgjedhjeve, po ua lexoj: Shteti duhet te garantojë të drejtën për një votë të lirë dhe të fshehtë. Duhet ndalur cdo forme presioni për të zbuluar nëse dhe si qytetarët kanë votuar. E keni lexuar apo jo? Ngjan si pika uji me raportin e Bjellorusisë së Lukashenkos. Mjafton kjo fjali që rëndon si gur varri mbi zgjedhjet e vrara.
