"E kuptoj zhgënjimin", Merkel nga Tirana: BE duhet të mbante fjalën për integrimin

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka pranuar se ngecja e procesit të integrimit  të Shqipërisë në BE është edhe për shkak të politikës  së brendshme te disa nga vendet e Unionit. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, Merkel deklaroi nga Tirana se e kupton zhgënjimin e vendeve të rajonit pasi siç tha ajo kur plotësohen kushtet, duhet mbajtur fjala.

Pyetje DW:Zonja Merkel çfarë hapash mendoni se duhet të ndërmarrë BE për t'iu afruar përqasjes së tij ndaj vlerësimit tuaj që është në interesin gjeostrategjik të BE hyrja sa më parë e vendeve të BE të jetë sa më parë pjesë e këtij blloku?

Angela Merkel: "BE, në fakt shtete anëtare do të duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kriteret dhe këtë e kemi thënë qartë në rastin e Shqipërisë se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë apo në sektorë të tjerë, dhe në momentin që këto kushte plotësohen BE duhet të mbante fjalën dhe  jo të nxirrte kushte të tjetra për shkaqe të politikës së brendshme në vende të caktuara. Kjo sjell zhgënjim dhe unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që ekziston. Në momentin që konstatohet që kushtet janë përmbushur duhet të mbahet fjala sepse përndryshe kemi zhgënjim dhe duhet të dimë  t'i besojmë njëri-tjetrit."

Pak para kësaj deklarate kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se Shqipëria e Maqedonia e Veriut ishin peng i nacionalizmave brenda BE-së. 

Edi Rama: “Ne jemi peng të nacionalizmave në BE. Në BE nuk kemi asnjë qeveri nacionaliste, por për fat të keq në disa vende nacionalistët dhe ekstremi i djathtë ndikojnë në vendimmarrjen e qeverive të moderuara. Edhe kjo që po ndodh sot është pengmarrje e procesit të integrimit nga një vlagë nacionalizmi në një vend. E dyta unë mendoj që asnjëherë deri më sot edhe pse presionet kanë qenë të mëdha, kancelarja nuk e ka lidhur procesin e integrimit të vendeve të rajonit me politikën e brendshme. Nuk mund të them ët njëjtën gjë për vendet e tjera. Presioni i brendshëm nuk është bërt kurrë politikë e jashtme e Gjermanisë. Ne jemi dhe mund të jemi për një kohë të gjatë pengje të vettove që lidhen me zgjedhje nëpër vende të pasura të BE-së."