Bashkia e Durrësit nuk ka fonde për menaxhimin e mbetjeve, por për tenderat përjashton ofertat më të ulëta

Përcaktimi i kritereve për kamionët dhe tonazhin e tyre nga bashkia e Durrësit ka bërë që të skualifikohen nga gara dy kompani që dhanë çmimin më të ulët. Në prokurimin me vlerë 8 milionë lekë morën pjesë 10 subjekte. Ndërkaq në një tjetër tender vihet re pjesëmarrja fiktive.

Bashkia e Durrësit deklaron se nuk ka fonde për menaxhimin e mbetjeve, por ky institucion nuk kursehet ne tenderat pa garë, apo ku skualifikohen ofertat me çmimin më të ulët.

Gjatë javës së kaluar, Ujësjellës Kanalizime Durrës ka zhvilluar tenderin për blerjen e kimikateve me fond limit 19 230 000 lekë pa TVSH.

Në të kanë marrë pjesë dy kompani, ku Atlantik 3 nuk ka paraqitur ofertë dhe detyrimisht ka fituar ‘2 AT’ me vlerën 18 845 400 lekë.

Në po të njëjtin publikim është zyrtarizuar dhe fituesi i tenderit për ‘Rikonstruksionin e rrugës Integrimi’ me fond  8 331 940 lekë.Sipas Bashkisë, kriter i përzgjedhjes së fituesit për rikonstruksionin e rrugës ‘Integrimi’ në qytetin e Durrësit do të jetë operatori që paraqet çmimin më të ulët në raport me të gjithë kompanitë pjesëmarrëse.

Dy subjektet që kanë dhënë vlerën më të ulët janë skualifikuar për shkak të kritereve të vendosura në prokurim.

Mungesa e kamionëve vetëshkarkues me tonazh 3.5, 7 apo 8 ton janë bërë shkak për përjashtimin nga gara.

Çuditërisht Bashkia e Durrësit kërkon saktësisht këtë format mjeti pasi pranohet se një kamion i paraqitur në dokumente është mbi 18 ton, me konkretisht 25 ton.

Edhe pse pranohet se pjesëmarrësit janë duke realizuar punime të tjera si dhe kanë dhënë çmim mjaft të ulët, sërish janë skualifikuar.

Megjithatë numri i lartë i pjesëmarrësve në këtë rast ka dhënë një efekt pozitiv pasi fituesi VARAKU E + ERIL B&B ka dhënë ofertë me vlerë 5 859 200 lekë, shumë më pak se fondi limit.