Çoçoli: Përgjegjshmëria mbetet jetime në përgatitjen e një tenderi, problem korrupsioni dhe transparenca
Hije të tjera dyshimi, kanë dalë në dritë në lidhje me shtatë tenderat e hapur për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës me një vlerë prej 130 milionë eurosh, ku e paqartë ngelet financimi i projektit.
Ndërkohë në lidhje me këtë, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli, në një intervistë për Ora News, është shprehur se qeveria dhe institucionet përkatëse nuk janë treguar transparente.
Ai thotë se i frikësohet faktit se tenderi në fjalë mund të shkojë deri në 170 milionë euro dhe një rast i tillë sipas tij ka qenë edhe me koncesionin e rrugës Thumanë – Kashar.
“Është një formulë e paqartë, përsa i përket përfitimeve edhe kostove. Në rast se shteti merr përsipër një të pestën e shumës, pra 20% dhe bëhet fjalë për 26 milion eurot e para dhe pastaj pjesa tjetër jepet me koncesion në formën e PPP, ne jemi mësuar që nga 203, PPP e famshme, pjesa më e madhe e kanë pasur jo të qartë raportin kosto- përfitim. Do të thotë se ne nuk dimë kurset për pjesëmarrjen në garë dhe paratë që duhet të financojë buxheti i shtetit, se sa të mira dhe rreziqe kanë marrë përsipër për realizimin e kësaj kontrate.
Këto kontrata janë shumë të ndërlikuara, dhe mundësia e gabimit është shumë i madh. Për të mos folur më pas për abuzimet dhe korrupsionin. Këto 7 lote, kjo shifër duhet të ishte bërë transparente që në fillim, pra shtetit qeveria, ministria që e ka organizuar, duhet të kishte dalë para qytetarëve dhe të jepte detaje në lidhje me tenderin. Kam frikë se ky tender mund të shkojë deri në 160 deri 170 mln euro, sepse edhe me përpara kemi pasur raste shumë të trishta. Si për shembull koncesioni i rrugës Thumanë- Kashar. Ai ishte nisur me 90 milion euro dhe më pas arriti deri më 467 milion euro.
Ai thotë se institucionet përkatëse nuk tregojnë seriozitet në përgatitjen e një tenderi, duke mos marrë parasysh rreziqet që mund të sjellë.
“Në këtë kuptim 80% i PPP , i pjesës ku nuk hyn buxheti i shtetit por bëhet nga privatit për ta shlyer për 13 vite me radhë, më lë për të dyshuar. Asgjë nuk është transparente sepse nuk dihet sa është e % e interesit që do të marrë privati. Nuk dimë rrezikun e këmbimit, kush e ka. Deri tani shumica dërmuese e PPP i kishte shteti. Përgjegjshmëria mbetet jetime në të gjithë përgatitjen e një tenderi, nuk jemi seriozë në këtë gjë.”
Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti për online Anila Kolgjini.
