Lisandër Hoxha thirrje Berishës: Na mblidh ta shkarkojmë "judën" Basha, koha nuk pret
Ish-nënkryetari i FRPD, Lisandër Hoxha i ftuar në studion e Ora News për të analizuar përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar akuzoi Bashën se po mban peng opozitën dhe Shqipërinë me marrëveshjen korruptive me Ramën.
Hoxha: "Demokracia ndodhet në rrezik dhe na takon ne të zgjidhim. Fokusi i demokratëve është të çlirojnë opozitën që është patericë e pozitës. Emergjencë është çlirimi i opozitës nga pengmarrja e Bashës e stafi i tij. PD nuk mund të vrasë babain e saj politik. Të majtët vrasin njëri tjetrin.
Sot, Basha, ka statusin e Judës që e tradhtoi Krishtin për 30 tendera. Do të dalin tenderat. I bëj thirrje publike Berishës, të thërrasë urgjentisht protestë kombëtare ta shkarkojmë Lulzim Bashën se nuk pret më koha. Berisha nuk është Vangjush Dako. Është akt tradhtie i Bashës."
Hoxha u shpreh se Berisha është i vetmi që e ka çuar në fitore Partinë Demokratike.
Hoxha: "Kam parë qindra demokratë të irrituar sot pasi nuk e besonin dot që kishte ndodhur një tradhti siç e cilësonin ata nga Basha kundrejt ish-liderit Berisha. Berisha është i vetmi fitues, i vetmi njeri që e ka çuar në fitore Partinë Demokratike. "
Në fund të intervistës Lisandër Hoxha u shpreh i vendosur: "Unë do mbështes çdo lëvizje politike brenda PD-së që rrëzon Lulzim Bashën."
Intervistoi Matilda Mcini
