Prapaskenat e seancës së parë/ Berisha gjen vend në hapësirën e opozitës, Rama komunikon me Ballën “nën maska"

I përjashtuar nga grupi parlamentar i partisë që drejtoi si President dhe kryeministër, Sali Berisha mbërriti në seancën e parë të parlamentit mes brohoritjeve të mbështetësve të mbledhur jashtë sallës së kuvendit.

Përtej situatës së tensionuar, duket se lideri historik i demokratëve ende imponon respekt edhe mes administratës socialiste.

Lulzim Basha ia kishte bërë të qartë se nuk do të jetë në krah të babait politik për sa kohë ai nuk ka mbyllur llogaritë ligjore për shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, Sali Berisha gjeti një vend në fund të sallës, në hapësirën e opozitës mes aleatëve me të cilët ka ndarë pushtet për gati 3 dekada.

Ndërkohë që deputetja më e vjetër Luljeta Bozo kryente formalitetet e seancës së parë tensioni në krahun e opozitës ndihej në ajër.

Në kampin mazhoritar situata ishte më e relaksuar megjithatë ish-zv-kryeministri Erion Braçe, tashmë jashtë ekzekutivit,  mbërriti i vetëm në parlament.

Taulant Balla shkëmbeu batuta  me Ulsi Manjën, i cili pret dekretimin si ministër i drejtësisë dhe më pas u shfaq i relaksuar në krah të Edi Ramës në karrigen parlamentare.

Dy zyrtarët e PS shkëmbyen mesazhe mes tyre në sallën e parlamentit edhe pse maska anti-covid e bëri komunikimin mes tyre të palexueshëm.

Ish-ministrja e arsimit Lindita Nikolla e nominuar nga kryeministri Rama për kryetare parlamenti, dukej se nuk u ndje rehat në karrigen e deputetit për aq sa zgjati seanca e parë pas të cilës ajo do të ulet në poltronin e drejtimit të punimeve të kuvendit.

Ish-ministrat Fatmir Xhafaj dhe Anila Denaj u dukën sikur po kërkonin të mësoheshin me vendet e reja përballë podiumit qeveritar.

Ndërkohë më shumë sesa miqësia e vjetër si socialistë, Niko Peleshin dhe Mirela Kumbaron duket se i bashkoi në bisedë përgjegjësia e re si anëtarëve të qeverisë Rama 3./OraNews/