Basha: Keqardhje për reagimin e Berishës, kam qenë i detyruar, armiku i vetëm është Rama
Kryetari i PD-së Lulzim Basha reagoi lidhur me deklaratat e liderit historik të PD-së se prapa përjashtimit të tij ishin pazaret e fëlliqura Rama-Basha.
Ai tha se ka ndjerë dhimbje e keqardhje për reagimin e Berishës sot, por shtoi se ka qenë i detyruar që ta marrë vendimin për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
Pyetje: A duhet të kishit dhënë dorëheqjen?
Lulzim Basha: Më lejoni ta mbaroj. Por kjo është një betejë që i takon çdo shqiptari dhe ku çdokush duhet dhe jam i sigurtë do të bëjë pjesën e vet.
Pyetje: Zoti Basha po ju nisët një betejë me Sali Berishën. Ai ka deklaruar se do t’ju heqë ju nga partia?
Lulzim Basha: Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje. Dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që jam detyruar të marr dje, është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha, por shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që është rregjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për te sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve.
Pyetje: A ka një pazar mes ju dhe zotit Rama siç thotë zoti Berisha?
Lulzim Basha: Edhe njëherë shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm, timin, të Partisë Demokratike, të çdo shqiptari të ndershëm, të Edi Ramës, sot i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje i qëndroj edhe sot.
Pyetje: A rrezikon Partia Demokratike të përçahet zoti Basha?
Lulzim Basha: Partia Demokratike nuk ka rrugë tjetër nuk ka rrugë tjetër përveçse e bashkuar ti prijë kësaj beteje për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Ju faleminderit!


