Lindita Nikolla mban fjalën e saj të parë si Kryetare Kuvendi: Ndihem e nderuar, opozita do të ketë hapësirë të plotë

Pasi u zgjodh kryetare e Kuvendit, Lindita Nikolla ka mbajtur fjalimin e parë në Kuvend. Nikolla ju drejtua me një mesazh edhe opozitës të cilët u larguan sapo nisi fjalën. Nikolla u shpreh se partitë opozitare nuk duhet të ndihen të humbura dhe të dështuara.  Kryetarja e re theksoi se opozita do të ketë hapësirë në plotë në Kuvend.

Nikolla : “Jam para jush, para popullit e zgjedhur për të qenë  mes të barabartëve në Kuvendin e Shqipërisë, prandaj edhe fjalët do t'i kursej sa të mundem sot që kohën t’ia lemë punës. Përkushtimi ndaj Republikës ka qenë përherë i rëndësishëm për mua, sot bëhet një përgjegjësi edhe më e lartë.

Kjo përgjegjësi dhe ky përkushtim janë sot aleatët e mi. Për të drejtuar sot punën tonë me debat dhe jo grindje. Dëshiroj të falenderoj paraardhësin tim zotin Gramoz Ruci. Ky kuvend është rezultat i votës së lirë të qytetarëve që prodhuan një mazhorancë të qartë. Por shifrat dhe faktet post zgjedhore nuk do të jenë aspak ylli i karvanit në detyrën që po marr përsipër. Për mua shumicën nga pakica do ta dallojnë vetëm numrat. Të gjithë do të ndihen të barabartë. Ne jemi individë me pikëpamje të ndryshme dhe të kundërta. Duhet tu japim qytetarëve modelin sesi duhet të jetë politika dhe shoqëria.

As partitë opozitare nuk duhet të ndihen as të humbura as të dështuara. Opozita është një mundësi për të kontrolluar shërbyesit publikë. Dua të theksoj se opozita do të ketë hapësira të plota. Nëse ju kolegë do të ndiheni të penguar unë do të jem në krahun tuaj sa herë të kërkojë e drejta. Nuk mund të pretendojmë se e duam Shqipërinë nëse nuk duam njëri-tjetrin."