Çipa për përjashtimin e Berishës: Basha s'ka më hapësirë të pendohet, do ketë kompromise e oferta politike
Aleksandër Çipa në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News për gazetarin Sebastian Zonja u shpreh se PD-ja ndodhet në një moment delikat pasi ekziston mundësia e copëzimit të saj.
Zoti Çipa u shpreh se në mesazhin e përcjellë ditën e sotme nga ambasada amerikane është lënë në nënkuptohet një mbështetje dhe partneritet mes PD-së dhe institucioneve të SHBA-së.
Çipa: "Një nga çështjet më dilematike që ndodhet PD-ja sot është mundësia e copëzimit të saj. A do të ndodhë kjo? Kjo mbetet për t'u parë. Duhet të marrim në konsideratë diçka, në mesazhin që ambasada e SHBA ka përcjellë sot përmes Twitter-it lihet të nënkuptohet që pas këtij vendimi të zotit Basha do t'i ofrohet PD-së një partneritet me institucionet e SHBA-së më shumë nga sa ka qenë tani. Këtu nuk përjashtohen dhe kompromiset dhe ofertat politike për llogari të ringritjes në peshën e të qenit aktori kryesor politikë-bërës në skenë e vendit. Mendoj se duhen lexuar nëntekstet e këtij mesazhi që vjen nga selia diplomatike por në thelbin e vet është një mesazh i pastër politik."
Zoti Çipa në fjalën e tij tha se Basha po luan për fatin politik ekzistencial të tij. Me vendimin që mori mbrëmjen e djeshme (9 shtator) kreu i opozitës, ndarja e Bashës dhe Berishës nuk negociohet më nga asgjë sipas Çipës. Në vendimin e Bashës nuk ka më vend për pendim.
Çipa: "Jam shumë skeptik për kapacitetin prej lideri të zotit Basha, por besoj se ai luan për fatin politik ekzistencial të tij. Ai vetë u deklarua mbrëmë se merrte vendimin më të rëndë në historinë e jetës politike, pra në këtë pikëpamje mendoj se Basha është në një dilemë ekzistenciale në këtë betejë kaq të rëndë që ka nisur me atin politik të tij. Bashës nuk i ka mbetur më hapësirë për pendesë, ai është i destinuar të vazhdojë vendimin dhe të mbijetojë për shkak të këtij vendimi. Në të kundërt çdo rikthim jo vetëm që i shkakton cedime të rëndësishme atij, pro e zhbën politikisht zotin Basha. Ndarja e Bashës dhe Berishës tashmë nuk negociohet më nga asgjë. "
Mbrëmjen e djeshme, kreu opozitar Lulzim Basha në një deklaratë për mediet njoftoi përjashtimin e zotit Berisha nga grupi parlamentar i PD-së. Ditën e sotme, 10 shtator Berisha ishe i pranishëm në Kuvend në seancën e parë parlamentare.
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku
