Nis punën Legjislatura 10-të: PS me 74 mandate, Basha "në luftë" me Berishën
Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit u mblodh për herë të parë këtë të premte.
Ai dominohet nga shumica socialiste me 74 mandate.
Sipas traditës, deputeti më i vjetër në moshë, e çel seancën e parë dhe këtë legjislaturë ishte Luljeta Bozo, një ndër më të rejat në radhët e socialistëve, e cila foli për vazhdimësinë e reformave të ndërmara nga qeveria Rama.
"Ne vijojmë të ndodhemi para dy sfidave që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen, tërmetin e pandeminë. Ne të gjithë së bashku do t'ia dalim”.
Ndërsa vëmendja e mediave ishte fokusuar te lëvizja e befasishme e Lulzim Bashës që vendosi të largoje ish-kryeministrin Berisha nga grupi i PD.
Kreu i maxhorances Edi Rama tentoi t’i shmangej pyetjeve të gazetarëve duke u thënë se Partia Socialiste i konsideron të parëndësishme zhvillime të tilla.

Akuzave të Berishës për një marrëveshje okulte me Bashën, Rama iu përgjigj duke i ofruar bashkëpunim opozitës, për të lënë të shkuarën pas.
“Ne vijmë në këtë kuvend për mandatin e tretë me dorën e shtrirë, pa marrë parasysh sesi do të shkonin zhvillimet në PD, dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të shtetit”.
Kryesuesit e Komisioneve
Kuvendi i ri do të drejtohet nga Lindita Nikolla, ndërsa socialistët kanë caktuar edhe emrat e deputeteve që do të kryesojnë komisionet parlamentare.
Lindita Nikolla është kryetare e Kuvendit
Ermonela Felaj është nënkryetare e Kuvendit
Mimi Kodheli në krye të Komisionit të Jashtëm
Nasip Naço - në krye të Komisionit të Sigurisë
Klotilda Ferhati drejton komisionin e Ligjeve
Eduard Shalsi Komisionin e Ekonomisë
Arben Pëllumbi në krye të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese
Klotilda Spahiu zëvendëskryetare te Shendetësia
Petro Koçi tek Komisioni i Edukimit dhe Medias
Etilda Gjonaj ne krye të Komisionit të Integrimi.
Po këtë të premte KQZ plotësoi dhe katër vendet vakante të Kuvendit të ri pasi Najada Çomo, Gramoz Ruçi, Lefter Koka dhe Mark Marku refuzuan te jenë pjesë e kësaj legjislature.
Mandatet e tyre i kaluan në baze të kodit elektoral Mimi Kodhelit, Mirela Pitushit, Denis Deliut dhe Elda Hotit.

