Pas përjashtimit të Berishës PS ndryshon gjuhën, Spiropali: Opozita nuk është armike, por konkurrente

Më përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së nga Basha, duket se edhe gjuha e kampit socialist ka ndryshuar ndaj PD-së.

Ka qenë ministrja Elisa spiropali ajo që sot përmes një postimi në facebook ka shkruar se PS nuk do të bjerë në kurthin e lojërave të vjetra të agjendave personale dhe se ka bindjen se opozita është konkurrente dhe jo armike.

Spiropali: Jemi plotësisht të vetëdijshëm për besimin e jashtëzakonshëm dhe barrën e përgjegjësisë së shtuar të këtij mandati të tretë. Interesi kombëtar, interesi publik, ardhmëria, do jenë objektivat madhore që do vendosim në qendër të politikës, të qeverisjes dhe të shtetbërjes. Nuk do të biem në kurthin e lojërave të vjetra të agjendave personale.

Do të bëjmë çmos ta pengojmë luftën politike pa moral, pa parime, pa fre. Kemi bindjen e patundur se opozita nuk është armike por konkurrente. Do luftojmë pa u ndalur dhe pa u lodhur për të realizuar ëndrrën dhe premtimin tonë për një Shqipëri të zhvilluar, të drejtë, meritokratike, evropiane, me më shumë barazi dhe mundësi për të gjithë shqiptarët.