Katër të arrestuar për drogë në Shkodër, sekuestrohen 19.5 kg kanabis dhe doza kokaine

Sekuestrohen 19.5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa në Shkodër. Policia e Vau Dejës  vuri në pranga shtetasin  Gj.D., 44 vjeç , banues në fshatin Kosmaç, Vau Dejës. Lënda narkotike ju gjet në banesë.

Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar  nga shërbimet e policisë  në një serë në pronën e tij u gjetën  të kultivuara  disa bimë narkotike kanabis.

Po nga ky komisariat u ndaluan shtetasit E.K., 25 vjeç , E.K., 22 vjeç, (vëllezër), banues në fshatin Benë, Vau Dejës.

Nga  hetimet e kryera  ka rezultuar se shtetasit  e lartëpërmendur, janë autorët e dyshuar të disa rasteve të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Benë, Njësia Administrative Shllak, Bashkia Vau Dejës.

Gjithashtu po në vijim të operacionit  nga specialistët  për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve  në DVP Shkodër u arrestua  në flagrancë shtetasi  N.D., 40 vjeç banues në fshatin Bleran, pasi në sheshin “Prekë Cali” Shkodër , gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga shtetasi i lartëpërmendur iu gjetën të  fshehura disa doza të vogla të dyshuara  lëndë narkotike e llojit kokainë dhe një shumë eurosh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet paraprake të kryera bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se ky shtetas merrej me shpërndarje  në doza të vogla të drogave të forta kryesisht kokainë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur  i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.