"Po na sos durimi", Biden kritik me mbi 80 milionë amerikanë që nuk vaksinohen
Presidenti amerikan, Bajden, është treguar i ashpër me dhjetëra miliona amerikanë që po i rezistojnë vaksinimit kundër Covidit-19. Qeveria do ta bëjë atë me detyrim për kompanitë që punësojnë mbi 100 persona, por republikanët e akuzojnë masën si diktatoriale dhe zotohen se do ta hedhin poshtë me gjykata.
Amerika i sheh vaksinimet si zgjidhjen e vetme për t'i dhënë fund luftës me pandeminë.
Rreth 80 milionë amerikanë kanë refuzuar marrjen e vaksinave, ndaj qeveria amerikane vendosi të enjten të ndërhyjë.
Bizneset dhe kompanitë me mbi 100 punonjës do të jenë të detyruar t'u kërkojnë atyre një certifikatë vaksinimi ose tampon të përjavshëm, ose të përballin gjoba deri 14 mijë dollarë, dhe vaksinimi do të jetë i detyruar edhe për stafin mjekësor e nëpunësit e shtetit.
Presidenti Xho Bajden tha se mbajtja e maskave dhe të vaksinuarit nuk është më një liri apo zgjedhje personale por në të mirën e publikut.
"Çfarë prisni akoma? Vaksinat janë falas, të sigurta dhe të kudogjendura. Janë certifikuar edhe nga FDA-ja. Mbi 200 milionë amerikanë kanë marrë të paktën njërën dozë. Kemi duruar deri tani por edhe durimi po sos. Refuzimi juaj ndaj vaksinave po na kushton të gjithëve."
Vitin e kaluar, përpara se të bëhej president, Bajdeni deklaronte se nuk do e bënte vaksinimin të detyrueshëm.
Rivalët politikë, kongresmenët dhe guvernatorët republikanë, premtuan të enjten se do ta luftojnë ligjërisht masën më të re të qeverisë, duke e quajtur jokushtetuese dhe tejkalim të autoritetit.
SHBA-ja po humbet mesatarisht 1 mijë jetë përditë nga Covidi-19 dhe më shumë se 650 mijë amerikanë nuk i kanë mbijetuar sëmundjes.

