Përjashtimi i Berishës, Kulluri: Basha lider që fshihet pas gishtit, ç'do mbjellësh, do korrësh

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Edvin Kulluri, e cilësoi Lulzim Bashën një kryetar që fshihet pas gishtit, duke theksuar se heshtja e Berishës ka dëmtuar Partinë Demokratike.

Ai u shpreh se Basha ka qenë në presionin e SHBA për ta përjashtuar Berishën, dhe në këtë pikë përmendi se një nga çështjet e hapura që ai ka me amerikanët është edhe çështja e lobimit rus.

"Ne kemi nevojë për një kryetar partie, një lider jo për një kryetar që fshihet pas gishtit. Ne të gjithjë e dimë që ai është gënjeshtar. Jemi në mandatin e tretë të qeverisjes së Edi Ramës. Koha ka kaluar. Heshtja e Berishës i ka sjellë vetëm dëm Partisë Demokratike.

Ky parlament që prodhoi 25 prilli nuk mund të ishte më i mirë se ai i vitit 2017. Ne e kemi thënë që Basha dhe familjarët e tij marrin tendera nga Rama. Këtu nuk ka ndodhur ndonjë gjë e re. Ka një shprehje amerikanët "Ç'do mbjellësh, do korrësh". Berisha ka qenë protektori politik i Bashës. Erdhi në emër në formimit perëndimor dhe doli një mbeturinë lindore. Basha ka qenë nën presionin e SHBA. Ai është në hetim në SHBA për çështjen e lobimit. Unë i referohem asaj që ka thënë Berisha dje. Një çështje që ne e dimë është ajo e lobimit në SHBA", tha Kulluri.

Kulluri deklaroi se Basha nuk do bëhet kurrë kryeministër pasi ka 75% të partisë së tij kundër. Votat që PD siguroi më 25 prill, i grupoi në mbështeës historik të PD-së dhe dhe votues që kërkojnë largimin e Ramës, që sipas tij nuk mjaftojnë për të siguruar pushtetin.

"Lulzim Basha nuk ka për t'u bërë kurrë kryeministër në Republikën e Shqipërisë. Një njeri që ka 75% të partisë kundër nuk mund të bëhet kurrë kryeministër. Ato vota që mori PD janë të pamjaftueshme për të ardhur në pushtet. Kjo është çështja. Principet e mbrapshta të Lulzim Bashës janë po ato. Principet janë po të njëjtat.

Lajthitjet janë të të njëjtat. Shkelja e këtyre parimeve që e kanë çuar PD në opozitë janë po të njëjtat. Vendimi që ka marrë Basha, është personal. Berisha duke mbështetur në heshtje Lulzim Bashën ka rolin e tij", deklaroi Kulluri.