Sot në Kuvend/ Berisha vështrimin nga Rama, Basha nervoz, Kryemadhi mendueshëm…
Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi paraditen e sotme seancën e parë për konsituimin.
140 deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të mblidhen sërish pasdite ku do të bëjnë betimin dhe do të zgjedhin kreun e ri të Kuvendit. PS ka propozuar Lindita Nikollën për këtë post.
Neni 6, i rregullores së Kuvendit përcakton se kryeparlamentari zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota.
Në seancën e paradites, kryeministri Edi Rama u ul mes deputetëve të tij, përkrah Taulant Ballës dhe Lindita Nikollës.
Në sallë zuri vend edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi së bashku me tre deputetë të tjerë nga kjo forcë politike, Petrit Vasilin, Agron Çelën dhe Erisa Xhixhon.
Sali Berisha zuri vend në radhën e parafundit, mes Tritan Shehut dhe Saimir Korreshit.
Ndërkohë Basha kishte në krah Tabakun.
Pas dy seancave të sotme, do të thirret një tjetër seancë e posaçme ku Edi Rama si Kryeministër do të paraqesë kabinetin qeveritar por dhe programin qeverisës.
Për këtë nuk ka ende një datë, pasi emri i Ramës për Kryeministër është në duart e presidentit Ilir Meta, i cili ende nuk e ka dekretuar si kryeministër.
Për këtë Presidenti nuk ka afate kushtetuese, ndërsa emri i ka shkuar në zyrë rreth 5 ditë më parë. /Foto nga LSA/







