Shkarkimi i Bashës si kryetar i PD? Berisha në aksion paralajmëron: Do marr çdo nismë ligjore dhe statutore
Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka përjashtuar mundësinë e një nisme për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.
"Do marr çdo nismë ligjore dhe statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Jashtë çdo lloj diskutimi, Jam anëtar i grupit parlamentar të PD. Vendimi, kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale të pazareve prapa shpine ndaj një force politike që qëndron fuqishëm në pozicionin e saj si opozitë".
Duke folur jashtë Kuvendit në mbyllje të seancës së parë për sot, (10 shtator) pyetjes nëse ai është apo jo më i mirëpritur në selinë e PD, partisë që e themeloi, Berisha i dha këtë përgjigje.
"Në çdo kohë mund të hyj në seli dhe të jeni të sigurt se do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, vendosmërinë, legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës së qytetarëve shqiptarë dhe pazaret e fëlliqura me ata të cilët e shndërrojnë PD në fasadë opozitë".
Gazetari: Vetëm tre deputetë në krahun tuaj, ndërkohë pjesa tjetër ishte në krahun e zotit Basha kur hyri në Kuvend.
Berisha: Grupi ishte në krahun e vet.

Berisha nuk foli tjetër vetëm për nismë ligjore ndërsa hodhi akuza në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës.
Në kampin blu nga e enjtja (9 shtator) nuk ka më qetësi.
Berisha u nis herët në mëngjes nga Gjiri i Lalzit për të mbërritur fillimisht në banesën e tij ku qëndroi deri në fillim të seancës parlamentare.
Më pas makina e ti u drejtua drejt Parlamentit

Nga selia e PD-se vetë Basha i shoqëruar nga mbështetës të tij u shoqërua drejt Parlamentit.
Berisha e akuzon se po shet PD për pazare të fëlliqura me Edi Ramën.
Në sallën e Kuvendit për herë të parë Basha e Berisha u ulën larg njëri tjetrit.
Berisha u ul në krah të Fatmir Mediut.
Kur mbaroi seanca Basha i heshtur por jo i qetë dhe Berisha i qeshur por jo i lumtur u larguan në drejtime të kundërta.


