Vrasja e zyrtarëve në Kosovë/ PDK: Jemi të tronditur nga lajmi tragjik
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur mbrëmjen e sotmë në Pejë, ku të vrarë kanë mbetur dy zyrtarë të kësaj partie, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt.
Në një reagim për mediat e Kosovës, PDK shkruan se janë të tronditur nga ngjarja e rëndë ndërkohë që i kanë shprehur ngushëllime dhe familjes.
“Partia Demokratike e Kosovës është e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë, të kandidatit tonë për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish kandidat për Kryetar të Komunës së Deçanit më 2017. Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, vijon reagimi i PDK-së.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:20, ku kanë mbetur të vrarë me armë zjarri dy politikanë të Partisë Demokratike.
Përkatësisht viktima kanë mbetur, Astrit Ademaj, i cili ishte kandidat për kryetar në Pejë dhe Blerand Kadrijaj, ish-kandidati për kryetar i Deçanit, po nga PDK-ja. Po ashtu ka mbetur i plagosur dhe vllau i Astrit Ademajt, Avniu.
Dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe fillimisht janë konfliktuar fizikisht, më pas ky konflikt ka agravuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit, ku Ademaj dhe Kadrijaj kanë qëlluar me armë drejt njëri-tjetrit.
