Berisha: PD në ditën më kritike të saj, nëse s’gjen forma modalitetesh, Rama do dyfishojë masakrën zgjedhore në 2015

Ish-Kryeministri Sali Berisha, është shprehur se opozita është në momentin më kritike të saj gjatë 30 viteve.

Në një intervistë për emisionin ‘Now”, Berisha thekson se ishte gabim që Kryetari Lulzim Basha dhe kundërshtarët e tij ranë dakord që hynin në fushatë.

“Opozita është në ditën më kritike të saj, sikundër edhe Shqipëria ndodhet në momentin më kritik në 30 vite. Unë e kam shprehur kundërshtinë time për hapjen e fushatës elektorale në parti. Unë gjykoja kritike angazhimin në evidentimin e masakrës zgjedhore dhe pastaj analizën sepse unë nuk them që PD nuk kishte mangësitë e saj në lidhje me rezultatin. Ajo që ra në sy ishte që kryetari dhe kundërshtarët e tij ranë dakord të hynin në fushatë. Për mua ishte shumë gabim, por nuk kisha si të dilja kundër, ishte unanim. Zgjedhje me aklamacion nuk ka bërë ndonjëherë PD, por nuk është se nuk ekzistojnë. Ka edhe në parti të qendrës së djathtë. Unë kam pasur një formë tjetër."

Berisha ka renditur dhe arsyet se përse opozita është në momentin kritik të saj, teksa shton se nëse opozita nuk gjen forma modalitetesh, Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme do të dyfishojë batërdinë zgjedhore e masakrën zgjedhore .

“Pse them se opozita është në momentin më kritik? Opozita nis jetën parlamentare me 60 mijë vota më pak se në vitin 2013, pas 3 humbje radhazi parlamentare, fillon jetën në kushtet kur ajo u mor me veten e saj, nëse opozita nuk gjen forma modalitetesh, Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme do të dyfishojë batërdinë zgjedhore e masakrën zgjedhore. Opozita duhej të penalizonte shumë më tepër Edi Ramën për atë që e quan masakër zgjedhore, në mënyrë që ndërkombëtarët të mos thonin atë që tha, por të thonin atë që u tha në 2001, se në 25 prill, zgjedhjet nuk shprehnin vullnetin e shqiptarëve.”- shprehet Berisha.