Çmimi i bukës/ Zusi: Mund të jetë spekulative, ka rritje të lëndës së parë, por jo aq sa të rritet buka

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, ish-zv.ministri i Bujqësisë, Alban Zusi,ka komentuar rritjen e çmimit të bukës në vendin tonë.

Ai shprehet se prej disa kohësh ka rritje të çmimit të lëndës së parë gruri, drithëra por edhe të përbërësve të tjerë, që sipas tij, mund të jenë element të rëndësishëm në koston e bukës.

“Fakti është se ne kemi një rritje ndërkombëtare në tregjet e grurit, drithërave por edhe miellit.  Gjatë kësaj kohë kanë ndodhur edhe rritje të përbërësve të tjerë që mund të jenë element i rëndësishëm i kostos për prodhimin e bukës.

Para dy tre javëve ne e kemi thënë se është e domosdoshme që të ketë një analizë nga institucionet publike, nga Ministra e Bujqësisë, për të kuptuar sesa kjo rritje e çmimeve të lëndëve të para do të impaktojë në rritjen e produktit përfundimtar, në rastin konkret të bukës që është edhe produkti më sensitiv. Kjo do të bënte të mundur që të evitonim spekulimet.

Nga ana tjetër, Zusi shprehet se mund të jetë edhe spekulative, pasi sipas tij mund të ketë rritje të lëndës së parë, siç  është mielli, por sipas tij kjo nuk ndikon në rritjen e çmimit të bukës.

Pa dyshim që mund të ketë hapësirë për të rritur çmimin e produktit përfundimtar por mund të jetë edhe spekulative, sepse çmimi i bukës mund të jetë një nga elementët që nuk zë më shumë se 50% të kostos. Spekulative do të thotë ka rritje të lëndës së parë, por rritja e çmimit të produktit përfundimtar nuk është në të njëjtin raport ose nuk është në të njëjtë vlerë absolute me rritjen e çmimit të lëndëve të para. 

Pra nëse ne kemi një rritje të lëndës parë në një vlerë 10 lekë të vjetra, atëherë nuk mund të rrisim çmimin e produktit përfundimtar me 20 lekë të vjetra. Ka dhe një fakt, ku kompanitë e prodhimit të miellit kanë rritur që ta ruajnë çmimin për një periudhë goxha të gjatë, sepse rritja e çmimit të drithërave ka disa muaj që është rritur. Tashmë ka kaluar problemi te kompanitë prodhuese dhe përpunuese të mielli. Nëse lënda e parë, mielli është rritur me 10 lekë për kg, atëherë maksimumi që mund të reflektohet për rritjen e bukës është 5 lekë të vjetra për kilogramë.

 Ajo çfarë raportohet nga mediat është se një bukë që ka kushtuar 80 lekë të vjetra tashmë kushton 100 lekë të vjetra. Kjo ka hapësirë për t’u vlerësuar nga institucionet përkatëse, për të parë se rritja e çmimit përfundimtare, te buka konkretisht, është i justifikuar apo spekulativ."- shprehet ai.

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Anila Kolgjini.