Vrasja e Ilit të Elbasanit dhe mikut të tij Regis Runaj, dosja drejt SPAK
Një dosje penale që flet për dy vrasje të kryera me pagesë në qytetin e Elbasanit, ka shumë gjasa që t'i kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Posaçme SPAK në Tiranë.
“Ora News” mëson se data 18 shtator 2021, është afati i fundit i veprimeve hetimore lidhur me dosjen penale, që bën fjalë për vrasjen me pagesë të Emiljano Ramazanit ose “Ilit të Elbasanit” dhe mikut të tij Regis Runaj.
Të dy personat që në Elbasan konsideroheshin si shpërndarës të lëndëve narkotike dhe të dyshuar si të përfshirë në disa ngjarje kriminale, në muajin Korrik 2020, mbetën të vrarë me pistoletë dhe goditje thikash.
Tashmë për këto dy ngjarje kriminale, policia dhe prokuroria e Elbasanit, vijon të mbajë në burg Erjon Alibej alias Agim Shurbi dhe dy persona të tjerë Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.
Dy javë pas vrasjes së Ramazanit, policia dhe prokuroria e Elbasanit, arrestuan dhe babë e bir, Albert dhe Seit Manahasa nga Peqini.
Por për shkak të mungesës së provave, ata u liruan disa muaj më vonë. Tashmë hetimet ndaj tre personave të arrestuar janë në fazën përfundimtare, ku prokuroria e Elbasanit, është në fazën e diskutimit nëse kjo dosje penale do i dërgohet për hetime të mëtejshme SPAK-ut ose jo.
Prokurorët janë të mendimit se dy vrasjet janë kryer nga një grup kriminal në shenjë hakmarrje.
Dhe nëse do analizohet dinamika e krimit dhe dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Euglen Halili, kushtet e ngritjes së akuzës janë ato të “Vrasjes me paramendim” të kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Alibej, i cili u ndalua nga policia brenda në ambientet e shtëpisë së tij në Elbasan, deri në këtë fazë të hetimeve konsiderohet si njeriu që ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.
Ndërsa dy njerëzit që kanë marrë pjesë direkt në vrasjen e tyre janë Euglen Halili, Xhuljano Hoxha dhe persona të tjerë që ende nuk është bërë e mundur identifikimi i tyre.
Bashkëpunëtori i drejtësisë, Euglen Halili, në këtë rast ka treguar se ka qenë në rolin e ekzekutorit në vrasjen e Regis Runaj.
Ndërsa për vrasjen e Emiljano Ramazanit, në rolin e “vëzhguesit”.
Halili ka pohuar se është ai personi që e ka vrarë Regis Runajn, edhe pse e kishte shok, dhe se gjithçka e ka bërë për llogarinë e Xhuljano Hoxhës dhe Erjon Alibej.
Edhe për vrasjen e Ramazanit, Halili ka treguar në dëshminë e tij, se ai ka mbajtur në vëzhgim Ramazanin duke informuar personat e tjerë për ta qëlluar.
Halili ka shtuar se ka qenë Xhuljano Hoxha e Alibej, ai që ka paguar me një sasi të konsiderueshme eurosh, para të cilat i kanë dhënë shtysën, që të fillojë të planifikojë vrasjen e mikut të tij, Runajt dhe të ndihmojë për vrasjen e Emiljano Ramazanit./OraNews/

