Meta: Ikja e Prekës, një boshllëk i madh dhe i pazëvendësueshëm në artin shqiptar

Presidenti, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të humorit shkodran, Paulin Preka.

Me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook, Meta shkruan se ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh, Paulin Preka lë pas një boshllëk të madh dhe të pazëvendësueshëm në artin shqiptar.

"Shkodra humbi një personalitet, që simbolizonte humorin e saj brilant dhe shpotitës, ndërsa teatri dhe kinematografia një aktor me dimensione të mëdha, që me karakteret dhe rolet e dashura që luajti, i dha rreze gëzimi një populli të izoluar në errësirë për dekada".

I skalitur në memorien e publikut shqiptar, Presidenti thotë se kujtimi i Prekës do të mbetet i paharruar dhe gjithmonë i respektuar!

"Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve! Të prehet në paqen e merituar!"

Mjeshtri i Madh i humorit shkodran dhe mbarëshqiptar, Paulin Preka, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.