Kulla dhe shkurre mbi monumentet e Tiranës, godinat drejt rrënimit

Në ditët e trashëgimisë kulturore, arkeologu Neritan Ceka nga vendi ku Kulla e Sahatit në kryeqytet e ka humbur madhështinë e simbolit të Tiranës flet me keqardhje për zhdukjen e monumenteve dhe ndërtesat e larta që ngrihen rreth tyre.

"Është një mungesë respekti për atë që ka qenë Tirana".

Edhe qytetarëve u dhimbset ky monument që është shndërruar thjesht në një kullë në miniaturë.

"Simboli më i bukur që orientoheshin njerëzit ka qenë Sahati në qendër, është abuzuar më ndërtimet rreth e qark Sahatit."

"Kjo është Shqipëria, çfarë do të bëjmë?"

Megjithatë, Tirana thotë profesor Ceka, ka ende vlera kulturore dhe arkeologjike për të cilat dhe po investohet.

Një i tillë është Mozaiku, një pikë e rëndësishme referimi në Shqipëri që mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural.

"Është një vilë romave e shekujve III-IV të erës sonë, është zbuluar vetëm pjesërisht."

Përveç Mozaikut, është dhe Kalaja e Tiranës, një tjetër monument që përfaqëson identitetin kombëtar.

"Është koncentrim i historisë së Tiranës."

Një pjesë e Sarajeve të Toptanëve, shpjegon Ceka, është brenda hapësirës së Kalasë, mirëpo askush nuk ka vënë dorë e për pasojë rrethohet nga shkurret.

"Po bie çatia, po shkatërrohet një vlerë e jashtëzakonshme."

Trashëgimia kulturore duhet ruajtur dhe përçuar ndër breza, ndaj duhen hartuar politike që garantojnë mbrojtje.

"Këto javë duhet të jenë një thirrje për klasën intelektuale se po humbasim në të gjitha drejtimet."