Lamtumirë Mjeshtër i Madh! Ndahet nga jeta kolosi i humorit shkodran, Paulin Preka

Shkodra dhe gjithë Shqipëria ka humbur një tjetër emër të madh të artit shqiptar.

Mjeshtri i Madh i humorit shkodran dhe mbarëshqiptar, Paulin Preka, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.

Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.

Paulin Preka ka lindur në Shkodër më 2.02.1935 në një familje të varfër.

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative, ku tematikat i afronin këta fëmijë me kryeveprat e letërsisë botërore të interpretuara në skenat e vogla të qytetit të Shkodrës.

Pikërisht në këtë kohë dhe në këtë moshë, daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”.

Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë.

Ky djalë simpatik, i shkathët dhe i zgjuar, e mbi të gjitha i talentuar do të bënte që rreth viteve 1945-1946 në moshën 11 vjeçare, mësuesi Lec Sekuj ta sillte në skenë me dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të shkrimtarit hungarez Ferenz Molnar e cila u interpretua nga nxënësit e shkollës “Pashko Vasa”.

Në këtë dramë Paulini interpretoi një ndër rolet kryesore.

Paulin Preka i mbylli sytë përgjithmonë duke lënë një boshllëk të madh në artin shqiptar.

Lamtumirë Mjeshtër i Madh! Ndahet nga jeta kolosi i humorit shkodran,
Paulin Preka