"Nga Shkodra në Paris", ekspozita bën bashkë 29 artiste greke dhe 1 shqiptare
Galeria e arteve në Shkodër u bë mikpritëse e një ekspozite të veçantë që ka bërë bashkë 29 artiste nga Greqia dhe shkodranen Breskida Kraja.
“Duke thurur të Ardhmen", fokusohet në natyrën dhe krijimtarinë femërore të shprehur përmes pikturës, skulpturës, instalimeve, fotografive, videove dhe shfaqjeve që kanë si qellim ruajtjen e trashëgimisë materiale e shpirtërore.
"Ishte goxha impenjative i gjithë procesi, takime me artistët, mbledhja e punimeve," tha Kraja.
Traditat dhe zakonet transformohen në metoda të reja të të shprehurit që sjellin vepra arti bashkëkohore.
"Jam shumë e kënaqur që marr pjesë në këtë ekspozitë në Shqipëri, është e para. Jemi 29 gra nga Greqia dhe bashkë me Breskidën kemi punuar që prej vitit 2019 për këto vepra. Ideja e kësaj ekspozite lindi me qëllimin për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore që është krijimtari e femrave," tha kuratorja Efi Michalarou.
"Është një nga ato rastet kur galeria në netë të tilla përveç sharmit artistik, sonte vjen edhe me një krijimtari jashtëzakonisht të cilësuar jo vetëm në formë, një përkujdesje të jashtëzakonshme estetike, artistike dhe ndjesore," tha Fatmir Juka, drejtor i galerisë së arteve.
Ekspozita që vjen e mbështetur nga ministria e kulturës në Greqi do të qëndrojë e hapur deri në 27 shtator dhe më pas nga Shkodra udhëton drejt Parisit./OraNews/
