Shuhet Kujtim Alija, “babai” i talenteve dhe simboli i Festivalit të Fëmijëve
"Shkodra e do këtë Festival, Shkodra e do këtë aktivitet, Shkodra tregon se edhe vetë mundet të nxjerrë 22 këngëtarë që kënduan sonte live. Kjo është meritë e këtij qyteti".
Ky do të mbetet amaneti artistiki Kujtim Alijës. Dirigjenti, pedagogu dhe organizatori i palodhur i Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve në Shkodër nuk do të jetë fizikisht në edicionin jubilar të aktivitetit që i kushtoi jetën.
Mjeshtri i Madh u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë me të cilën u përball.
Edicioni i 59-ë të Festivalit të Fëmijëve në Shkodër, ishte hera e parë në dekadat e fundit, kur ai nuk i drejtoi fëmijët, dhe hera e fundit kur Profesori siç e thërrsnin doli në publik.

Pamja tregoi se sëmundja e rëndë që po kalonte i kishte lënë gjurmë në trup, por jo në shpirt dhe misionin për të zbuluar talente të reja në muzikë.
"Të gjitha trevave ku flitet shqip u treguam se talentet nuk mungojnë."
Krerët e shtetit, artistë e qytetarë përcollën vlerësime në rrjetet sociale dhe i bënë homazh jetës dhe punës së Kujtim Alijës.
Voltana Ademi: Dita e sotme ka nisur me një lajm shumë të trishtë! Mjeshtri i Madh Kujtim Alija është ndarë nga jeta! Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohëshme të nêsuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija. Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushllime familjes Alija për këtë humbje shumë të madhe!

Ilir Meta: I trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit të mirënjohur shkodran, Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija, simbolit të Festivaleve të Këngës për Fëmijë.Personalitet i shquar i muzikës shqiptare, dirigjent virtuoz, edukator energjik dhe mësues i palodhur i shumë gjeneratave me vlerat e artit dhe kulturës kombëtare, zbulues i talenteve të rralla që do shkëlqenin në skenat vendase dhe botërore, shembull i intelektualit dhe qytetar model të Shkodrës, humbja e tij le pas shumë dhembje.Ngushëllime familjes, komunitetit të dashur shkodran, artistëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë.Të prehet në paqen e merituar.
Lamtumira e fundit profesorit të Festivalit të Këngës për Fëmijë do ti jepet të shtunën me homazhe në teatrin "Migjeni".
