Basha për ikjen e Paulin Prekës: Me humorin e tij ai i dha ngjyra zymtësisë së jetës së shqiptarëve
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kolosit të humorit shkodran dhe mnbarëshqiptar Paulin Preka.
Me anë të një postimi në twitter, Basha thotë se pinjolli i humorit shkodran do të mbetet pjesë e plejadës së aktorëve të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
"Sot arti dhe artdashësit shqiptarë janë në zi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh Paulin Preka. Pinjolli i humorit shkodran do të mbetet pjesë e plejadës së aktorëve të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare".
Duke vlerësuar peshën e tij si artist, Basha thotë se Preka me humorin e tij ai i dha ngjyra zymtësisë së jetës së shqiptarëve në vitet e regjimit komunist.
"U prehtë në paqe" shkruan Basha.
Mjeshtri i Madh i humorit shkodran dhe mbarëshqiptar, Paulin Preka, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare.
Kolosi i humorit shqiptar mbylli përgjithmonë sytë në Itali ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.
