Pogradeci “bashkon” Ballkanin, “Liqeni im” i Gjergj Xhuvanit çel festivalin e filmit

Odeoni buzë liqenit në Pogradec është kthyer në kinema të hapur.

Aktorë, regjisorë e producentë nga i gjithë rajoni janë bërë bashkë aty për edicionin e 11 të festivalit Ballkanik të Filmit.

Filmi “Liqeni im” me skenar dhe regji nga Gjergj Xhuvani, që u nda nga jeta pak kohë më parë ishte përzgjedhur mes 35 produksioneve në garë për të çelur konkurrimin.

"Filmi i Gjergjit padiskutim që ka lidhje me këtë festival, padiskutim që ka lidhje me Pogradecin, me Korçën, me këtë zonë sepse edhe filmi quhet "Liqeni im." Është xhiruar në zonën e Prespës po zëre se janë në të njëjtat ujëra," tha Eno Milkani, organizator i B3F.

Festivali rikthehet nën moderimin e aktores Ema Andrea pas një viti të vështirë mes pandemisë së koronavirusit, që goditi fort edhe jetën kulturore.

"Pandemia ka sjellë shumë dëme në jetën tonë sociale, politike por ndoshta e vetmja e mirë që solli është që njerëzit kuptuan se sa i rëndësishëm është arti në jetën e tyre. Në këtë rast përfshihet edhe ekzistenca e këtij festivali. Është i rëndësishëm për zhvillimin e artit të vërtetë," tha Andrea.  

Aktorja Tinka Kurti, regjisori Piro Milkani, Mevlan Shanaj etj., do të jenë në ditët e festivalit, ndërsa filmat garues do të vlerësohen nga një juri profesionistësh.

 /OraNews/