U emërua ministre e Turizmit dhe drejtuese e PS-së në Gjirokastër, Kumbaro: E marr si sfidë dhe mbarësi
Mirela Kumbaro ka reaguar pasi u vendos nga kryeministri Edi Rama në krye të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, si dhe drejtuese politike e qarkut Gjirokastër.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Kumbaro shkruan se detyrat në qeverisje dhe angazhimi si deputete janë pjesë e jetës së saj, teksa shton se posti që i është besuar e merr si nderim por edhe përgjegjësi serioze.
Kumbaro shpreh edhe mirënjohjen për qytetarët e shtatë bashkive të qarkut të Gjirokastrës.
Postimi i plotë:
“Kjo javë që po mbyllet shënoi një fillim të ri për përgjegjësi të reja
Është koha të them se detyrat në qeverisje, angazhimi si deputete në Qarkun e Gjirokastrës, janë tashmë pjesë e jetës time aktive. Janë pjesë e jetës time sepse janë pjesë e besimit tim për ta bërë Shqipërinë më të mirë nga ç’është sot.
Këtë besim ma edukuan gratë dhe burrat e Qarkut të Gjirokastrës, duke bashkëjetuar çdo javë, çdo muaj e çdo vit nga 2017 e deri sot, me vështirësitë dhe gëzimet e njerëzve të tokës, të punës, të dijes, të sofrës dhe të bujarisë në Gjirokastër e Libohovë, në Tepelenë, Përmet e Këlcyrë, nga Dropulli në Memaliaj.
Andaj detyrën që Partia Socialiste, më caktoi si drejtuese politike e këtij Qarku e marr si më të madhin nderim, por edhe si një përgjegjësi serioze, sepse u detyrohem shumë banorëve të të 7 bashkive të Qarkut.
Por e marr edhe si sfidë e mbarësi. Pasi
Bledi Çuçi e kreu këtë detyrë aq bukur politikisht dhe aq njerëzisht të ndërtuar mirë, duke vendosur një standard qytetarie të frymës së ekipit, të punës në grup me njerëzit dhe me strukturat, kujtdo pas tij i mbetet një sfidë e madhe për ta arritur.
Kjo sfidë sot është e imja.”
