"PriFest"/Festivali i Filmit në Prishtinë në datat 24-29 gusht, të dielën ndahen çmimet

Prishtina do të kthehet në një vatër arti e kinematografie në datat 24-29 gusht. Në kryekomunën kosovare pritet të fillojë Festivali Ndërkombëtar i Filmit që do të bëjë bashkë artistët më të vlerësuar të vendit dhe jashtë.

Të martën, Prishtina do të hapë siparin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit. Në "PriFest-in" e sivjetëm pritet të parakalojnë yjet e kinematografisë vendëse, artistë e kinematografë të huaj.

Edicioni i 13-të fillon me filmin "Zgjoi" e regjisores Blerta Basholli, fituesin e tri çmimeve kryesore në festivalin amerikan të filmit "Sundance".

 “PriFest fillon më 24 gusht, duke u hap me ceremoninë hapëse dhe filmin Zgjoi, film ky i cili do të shfaqet në të njëjtën kohë në dy kinema, në Kino Armata dhe teatrin kombëtar, pastaj do të zgjasë gjashtë ditë, ditën e diele është ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe para ditës së diel, ditën e shtunë ky kapitull i filmave do të mbyllet me filmin ‘Looking for Venera’, film ky gjithashtu u suksesshëm i prodhuar nga artistët tanë.”

Minka Berisha, e ngarkuara e festivalit për marrëdhëniet me mediet, thotë se edicioni i ri do të sjellë 52 filma të metrazheve të ndryshme.

Një juri e huaj do të përzgjedhë veprat më të arrira artistike të ndara sipas tetë kategorive.

Fokusi i këtij viti në PriFest do të jetë gruaja kosovare, ndërgjegjësimi i shoqërisë mbi punën dhe sukseset e tyre në kinematografi.

Hyrja në Teatrin Kombëtar, në Kino Armata, në Muzeun e Kosovës dhe në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, do të mundësohet kundrejt biletës ose krejtësisht falas në rastin kur janë studentë dhe të moshuar.

“Ka me pas disa kontrolle më strikte, që duhet me qenë ose të vaksinuar me dozën e parë, ose duhet me pas testin PCR negative ose antitrupa, përndryshe nuk munden me hy as në ‘afterparty as me pa filma... Ka shumë të interesuar, Pri Film Fest është festival i të gjithëve, jo vetëm i artdashësve dhe industrisë së filmit, është i të gjithëve por një kërkesë e veçantë shkon se duhet me qenë të vaksinuar ose me masat që vendimi i qeverisë të respektohet, duhet me maska ose me pas dëshmi që janë negativ ose të vaksinuar.”

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë mbyllet ditën e dielë më 29 gusht kur edhe është planifikuar ndarja e çmimeve të jurisë.