Shuhet në moshën 80-vjeçare bateristi i “Rolling Stones”

Është shuar në moshën 80-vjeçare, Charlie Watts, bateristi i grupit të mirënjohur të rrokut, “Rolling Stones”. Lajmin e ka konfirmuar një zëdhënës i tij, të martën.

"Me trishtim të madh njoftojmë vdekjen e të dashurit tonë Charlie Watts. Ai vdiq në paqe në një spital në Londër i rrethuar nga familja e tij", tha publicisti i tij Bernard Doherty, në një deklaratë.

"Charlie ishte një burrë, baba dhe gjysh i dashur dhe gjithashtu, si anëtar i Rolling Stones, një nga bateristët më të mëdhenj të brezit të tij. Ne kërkojmë me mirësi që privatësia e familjes së tij, anëtarëve të grupit dhe miqve të ngushtë të respektohet në këtë kohë të vështirë", shtoi ai.

Të shumta kanë qenë homazhet për ndarjen nga jeta të Watts. Mes tyre edhe muzikanti i “Beatles”, Ringo Starr nëpërmjet një postimi në tëitter, ka shprehur ngushëllimet për familjen e bateristit të “Rolling Stones”. Ndërsa kitaristi dhe këngëtari i “Beatles” Paul McCartney tha se ishte "shumë i trishtuar kur dëgjoi për Charlie Watts.

"Charlie ishte një rocker dhe një baterist fantastik. Të dua Charlie, njeri i bukur."

Ylli britanik Elton John e vlerësoi si një baterist të shkëlqyer dhe shprehu hidhërimin për ndarjen nga jeta të legjendarit Watts.

Në fillim të këtij muaji “Rolling Stones” njoftoi se bateristi nuk do të bashkohej me grupin për fillimin e turneut të riplanifikuar "No Filter" në SHBA, për arsye shëndetësore. Turneu është planifikuar të nisë më 26 shtator, por ende nuk ka të dhëna nëse ai do të mbahet sipas planit.