Shkodër/ Atentat zyrtarit të PS-së, plagoset me 2 plumba këshilltari socialist në bashkinë Vau i Dejës
Një plagosje me armë zjarri ndodhi paraditen të shtunës ne Shkodër.
Nikolin Huba u qëllua me armë zjarri sapo kishte dalë nga lokali në Vaun e Dejës.
Mësohet se kanë qenë dy persona ende të paidentifikuar me motor në ecje që kanë plagosur me 2 plumba në këmbë 54 vjeçarin, i cili është dërguar menjëherë në spitalin e Shkodrës ku ka marrë ndihmën e parë, e më pas është nisur drejt spitalit të Trumës në Tiranë për mjekim të specializuar.
Nikolin Huba është anëtar i këshillit Bashkiak në Vaun e Dejës si dhe përfaqësues i Partisë Socialiste, ndërsa ende nuk dihet asgjë për motivet e atentatit.
Në dëshminë e tij të parë përpara oficerëve dhënë nga spitali i Shkodrës, Hubaj ka thënë se nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe se nuk ka mundur t’i identifikojë autorët.
"Sapo kam dalë nga kafja dy persona me motor me skafandë në kokë janë afruar dhe më kanë qëlluar. Nuk më kanë thënë asnjë fjalë. Unë nuk e di se kush janë, sepse nuk kam asnjë konflikt me askënd. Vetëm qëlluan dhe ikën, nuk kam asnjë ide përse më qëlluan," tha 54-vjeçari.
Menjëherë pas ngjarjes policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ndërsa ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.


